Kush është në linjë
5 përdorues në linjë: 0 anëtarë 0 të fshehur 5 vizitorë :: 1 Bot

Asnjë

[ Shiko krejt Listen ]


Rekord i përdoruesve në linjë ishte 66 më Fri Nov 04, 2011 5:00 pm
Statistikat
Forumi ka 4023 anëtarë të regjistruar
Anëtari më i ri LenoreEnriquez

Anëtarët e këtij forumi kanë postuar 2594 artikuj v 1305 temat
Kërko
 
 

Display results as :
 


Rechercher Advanced Search

February 2017
MonTueWedThuFriSatSun
  12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
2728     

Calendar Calendar

Top posting users this month


KOHA SHKON E JU AFROHENI

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

KOHA SHKON E JU AFROHENI

Mesazh nga Kreshnik Martini prej Thu Aug 04, 2011 8:48 am

KOHA SHKON E JU AFROHENI
Fjalë rasti e mbajtur në Akademinë Përkujtimore më 07.05.2005
Nasho JORGAQI

KOHA SHKON E JU AFROHENI

Të dashur motra dhe vëllezër!
Jam shumë i nderuar, por akoma më shumë i emocionuar që më jepet rasti të marr sonte pjesë në një përkujtimore akademike, siç është kjo, kushtuar dy dëshmorëve të shquar për çlirimin e Kosovës, Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani. Në radhë të parë desha t`ju përshëndes në emër të një grupi shokësh që kemi ardhur posaçërishtë nga Shqipëria për t`u bërë homazhe këtyre dy heronjve të luftës për liri që zhvilloi populli ynë në trevat e veta në Kosovë. Nuk do të bëhej një figurë letrare në qoftë se do të thosha se ne erdhëm këtu mes jush në këtë përkujtimore se dëgjuam thirrjen e gjakut të Agronit dhe të Bahriut, sepse nuk mund të ketë histori të një populli pa gjak, nuk mund të ketë një komb të pavarur pa gjak, nuk mund të ketë liri pa gjak, ashtu siç nuk mund të ketë njeri pa gjak. E pra, ky gjak na thërret, ky gjak na mbetet amaneti i tyre, ky gjak është mesazhi i tyre, ky gjak është kuptimi i jetës sonë. Për mua ka qenë një befasi e veçantë, por edhe një zbulim njohja me veprën posthume, pas vdekjes, të Bahriut. Dy veprat e tij, libri “Dhembja mund dhembjen” dhe vepra tjetër “Kundër mistifikimit për të vërtetën” janë trashëgimia më e vyer pas jetës që ai la për lirinë e atdheut. Duke u vënë në rolin e biografit, unë gjatë jetës sime si shkrimtar jam marrë jo njëherë edhe me jetën dhe veprën e dëshmorëve. Mund të them që dëshmorët janë dobësia ime më fisnike, debulesa ime më e madhe. Kujtimi, vepra e tyre më bëjnë mua të ndjehem sa i fuqishëm aq edhe i dobët përballë asaj që ata kanë bërë. Pikërisht, duke u marrë me këtë temë kam pasur rast, kam pasur nder, por edhe detyrë të shkruaj një biografi për heroin tonë të njohur nga të gjithë, siç është Qemal Stafa, kam pasur rast të shkruaj një biografi për një hero tjetër, siç është Vasil Laçi që hyri në histori me atë gjest madhështor që bëri në vitin 1941 kur doli përpara perandorit të Italisë fashiste dhe qëlloi mbi të, kam pasur gjithashtu nderin dhe emocionin që të shkruaj një vepër në prozë të gjatë për dy dëshmorë, për dy vëllezër, ashtu siç kanë qenë Bahriu me Fahriun, që u vranë në një ditë në luftë kundër fashistëve. Kështu që kuptohet se sa emocione dhe sa i lidhur shpirtërisht kam qenë kur më ranë në dorë dy veprat e Bahriut, e aq më tepër kur u njoha nga afër nëpërmjet tregimeve të shokëve e të të afërmëve të tij për jetën e Bahriut.

Bahriu, siç u tha këtu, dhe siç e njihni të gjithë, ishte luftëtar, ishte militant, ishte udhëheqës, ishte nga ata që themeloi Lëvizjen Kombëtare për Çlirimin e Kosovës dhe e bëri këtë në një kohë të vështirë, në një kohë të ngarkuar me rreziqe, me rreziqe fizike dhe me rreziqe ideologjike, në një kohë kur të ikte koka dhe në një kohë që mund të ngatërroheshin edhe mendimet që kishe brenda në kokë. Mendoj se momenti vendimtar që përcakton vlerën e veçantë të Bahriut, por edhe të shokut të tij sigurisht Agronit, që e njoh më pak, është ky moment që kuptoi nevojën e madhe të luftës së armatosur, të kryengritjes, të luftës me armë kundër demagogjisë për një lëvizje paqësore, urtë e butë, me fjalë, me parulla, me slogane e kështu me radhë. Ky moment mendoj unë përbën atë që është thelbësore në figurën e Bahriut si personalitet politik, si figurë historike e luftës çlirimtare të Kosovës.

Bahriu ishte udhëheqës politik, ishte luftëtar, ishtë organizator dhe në shërbim të këtyre detyrave të rëndësishme ai përdori edhe letërsinë, letërsinë artistike dhe letërsinë politike. Sigurisht në moshën e tij, në moshën e tij zemra këndon dhe moshatarët e tij kanë shkruar vjersha e shkruajnë vjersha, por kanë shkruar e po shkruajnë e do të shkruajnë përjetësisht vjersha për dashurinë, për vajzën që e duan, për ëndrrën e tyre të bukur, për romantikën e moshës. E, poezia e Bahriut nuk është poezi për dashurinë, nuk është poezi edhe për ëndrrat vetjake, është një poezi për lirinë, është një poezi për luftën, është një poezi për ëndrrën e madhe të lirisë, është një poezi… çuditërisht për dëshmorët, është e çuditshme se kur lexon vëllimin e tij, vjershat e Bahriut e kanë si lajtmotiv idenë e të rënëve, idenë e dëshmorëve, respektin dhe deliriumin për ta, thuajse ky njeri e ndjente se në një kohë të afërt do të binte dëshmor, do të derdhte gjakun për vendin e vet dhe do të hynte në radhën e dëshmorëve. E, nuk janë të rastit, jo një vjershë, por disa vjersha që Bahriu ua kushton dëshmorëve, shokëve të përjetësisë së tij të ardhshme. Poezia e tij është një poezi plot impulse, është një poezi me nota luftarake, një poezi burrërore, një poezi që rrjedh nga shpirti i tij që i ishte përkushtuar një ideali të madh, një kauze të madhe, siç ishte kauza e çlirimit të vendit të tij. Sigurisht se nuk është rasti këtu të bëjmë analizën e poezisë së Bahriut, por ama është rasti që të themi se një udhëheqës i luftës si ai, një militant revolucionar si ai, një luftëtar i vendosur si ai, kishte një shpirt delikat, kishte një shpirt tepër njerëzor, kishte një poezi që i rridhte së brendshmi dhe që nuk mund ta mbante për vete dhe këtë duhet t`ua jepte të tjerëve, siç e dha nëpërmjet këtyre vargjeve. Këtë, ndërkaq do ta dëshmojnë kujtimet e të afërmëve dhe të shokëve, ai kishte edhe dashurinë për muzikën, jo vetëm për poezinë, ato ndjenja, botën e tij shpirtërore do ta shprehte nëpërmjet muzikës, kitarës, lahutës, nëpërmjet këngës që fliste për botën e tij shpirtërore. Më jepet rasti këtu që unë të bëj një paralelizëm krejtësisht të natyrshëm mes Bahriut dhe të Qemal Stafës. Dhe vërtet është e habitshme se ata kanë pika takimi në disa drejtime. Përqafuan një ideal atdhetar dhe revolucionar në moshë shumë të re, u bënë organizatorë të lëvizjes patriotike, atdhetare, revolucionare, organizuan dhe drejtuan, njëri rininë komuniste shqiptare, kurse tjetri është një nga themeluesit e LKÇK-së, njëri botoi revistën “Kushtrimi i Lirisë” në Shqipëri, tjetri botoi revistën “Çlirimi” këtej, njëri i binte lahutës-tjetri i binte violinës, njëri shkruante poezi këtu- tjetri shkruante poezi në Shqipëri. Të njëjtat tema pak a shumë, njëri me një vëlla të vrarë, siç ishte Bahriu dhe Fahriu-tjetri një vëlla që ishte bashkëmendimtar dhe bashkëveprues në lëvizjen revolucionare (vdiq nga tuberkulozi në prag të pushtimit fashist), akoma më tutje ngjashmëria është e çuditshme, u vranë duke luftuar kundër fashizmit, njëri kundër fashizmit italian-tjetri kundër fashizmit serb, të dy ranë me armë në dorë. Të dy ranë më armë në dorë në një ditë maji… e çuditshme, ë! në një ditë maji, njëri më 5 maj-tjetri më 7 maj. E pra, idealet e mëdha heronjtë i bëjnë të ngjashëm, sakrificat e mëdha heronjtë i bëjnë të ngjashëm, vdekjet e mëdha heronjtë i bëjnë të ngjashëm, i ngjashëm është Qemali me Bahriun e Bahriu me Qemalin.
Qemali në një nga hartimet e shkollës së mesme do të shkruante “ I lumtur është ai që vdes për atdhe”… pa asnjë mëdyshje do të thosha se ky mendim do t`i shkonte edhe Bahriut, këtë e tregon poezia e tij, këtë e tregon jeta e tij, këtë e tregon gatishmëria e tij për ta dhënë jetën e tij për atdhe, siç e dha. E pra, edhe ai e kishte atë ndjenjë të lumturisë brenda vetes që e shprehu, e mishëroi në një vdekje heroike, siç ishte ajo në atë trekëndëshin simbolik, Shqipëri- Kosovë- Plavë.
Akoma më me vlerë do të thosha është publicistika e Bahriut. Unë flas këtu jo nga pozita e admiruesit, por nga pozita e studiuesit, nga pozita e historianit dhe mund t`ju them me plot gojën se publicistika e Bahriut është një nga faet më të bukura e më të fuqishme jo vetëm të publicistikës së Kosovës, por të mbarë publicistikës shqiptare.
Bahriu ishte një njeri i formuar filozofikisht, ideologjikisht, politikisht, atdhetarisht…, dhe kjo përgatitje serioze, e fortë bëri të mundur një publicistikë me aq vlerë sa ç`paraqitet në librin e tij “Kundër misitifikimit për të vërtetën”. Dhe, vërtet… dhe vërtet vepra e tij publicistike është një çjerrje maske që i bëhet mistifikimit, është një zbulim madhështor që i bëhet së vërtetës. Unë besoj se publicistika e Bahriut i takon asaj vepre që i ka qëndruar kohës në kuptimin që Bahriu kapi thelbin e epokës së tij. Thelbi i epokës së tij ishte: lufta çlirimtare.
Mendoni për një çast, që për fat të keq Bahriu nuk e arriti, që Kosova të arrinte deri këtu ku është sot vetëm nga forcat e NATO-s dhe shqiptarët e Kosovës të dilnin nëpër rrugë e t`u hidhnin lule dhe bijtë e tyre të rrinin pranë nënave të tyre, çfarë turpi do të ishte për Kosovën dhe për Shqipërinë. E pra, Bahriu qe nga ata ideatorë që u kap fort pas idesë së luftës së armatosur dhe është në nderin e tij, në nderin e shokëve të tij, të bashkëluftëtarëve dëshmorë dhe bashkëluftëtarëve të gjallë që luftuan për këtë ide, që u vunë në themel të atij fenomeni historik, siç qe UÇK-ja, luftuan, dhanë gjakun, krijuan ato vepra heroike, ia zbardhën faqen Kosovës dhe mbarë kombit shqiptar para botës dhe u bënë pjesëtarë të kësaj lufte të madhe, e të drejtë për liri, që e sollën Kosovën, përpjekjet e saj për liri deri këtu, edhe pse idealet e Bahriut dhe të shokëve të tij ende edhe sot nuk u realizuan.
Publicistika e Bahriut është një temë më vete, ajo meriton të studiohet, të bëhet objekt studimi i studiuesve tanë, i shkencës sonë dhe nga kjo pikëpamje do të thosha se Bahriu ka ç`tu thotë studiuesve, historianëvë, historisë moderne të Kosovës.
Ditëve të shkuara, kur pata rast të takoja një nënë dëshmori në Shqipëri, e nënat e dëshmorëve në Shqipëri nuk janë të pakta, siç nuk janë edhe në Kosovë, dhe me një arsyetim që bëra unë për ta ngushëlluar, ajo më tha veç të tjera dy vargje që unë nuk i harroj kurrë. Këto vargje tani pak a shumë janë të njohura, por atëherë kur m’i tha mua ajo, ishin pak, ose aspak të njohura. Tha që unë bisedoj me t`im bir. Kjo ishte një nënë labe, Labëria është një nga krahinat më luftarake në Shqipëri. –Unë, tha ajo, kur i këndoj në ligje, t`im bir i them kështu:
“Djalë çoç më vjen kështu/ djalë çoç më vjen kështu
Moti tutje t`i tëhu / Koha shkon e ti afrohesh…”

Një ide të tillë shumë vite më vonë unë do ta gjeja te Fausti i Gëtes, një ide e tillë gjeniale që ishte te populli, ishte edhe te Gëteja. E njëjta ide, i njëjti mendim, pra njerëz të tillë që bien për atdhe, për një ideal të madh, linin mendime të mëdha.. Mendime të mëdha na frymëzon sonte edhe Bahriu dhe Agroni dhe unë juve ju falënderohem me gjithë shpirt për këtë mundësi që më dhatë t`i them këto fjalë.

Kreshnik Martini

Numri i postimeve : 227
Join date : 03/08/2011

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi